Rexhaj kritikon Abdixhikun: LDK dështoi, duhet të hapësh rrugë

Ish-aktivisti politik, Sali Rexhaj, ka reaguar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duke kritikuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për rezultatin e partisë dhe duke kërkuar largimin e tij nga drejtimi i saj.

Në një postim publik, Rexhaj e cilëson vendin e tretë të LDK-së në zgjedhje si një dështim dhe kujton rastin e Isa Mustafës, i cili dha dorëheqje kur partia kishte një rezultat të ngjashëm.

“LDK doli e treta dhe për këtë përgjegjësinë e mban ti, Lumir. Duhet të hapësh rrugë. Kur Isa Mustafa doli i treti, dha dorëheqje, ndonëse ishte besnik ndaj interesave të Kosovës dhe marrëdhënieve me Amerikën,” ka shkruar Rexhaj.

Ai thekson se zgjedhjet kanë përcaktuar se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë e para dhe i takon pozita e kryeministrit, ndërsa LDK dhe AAK-NISMA duhet të marrin poste në qeveri sipas fuqisë së tyre elektorale.

Rexhaj gjithashtu ka sugjeruar se kandidati më i përshtatshëm për kryeministër në këtë periudhë është Avdullah Hoti, sidomos pas kthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Ai akuzon Abdixhikun se nuk ka reflektuar për mesazhin e votuesve dhe se ka mbajtur lidhje të ngushta me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin.

Në fund, ai thekson se politika duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia dhe jo nga interesat personale e partiake duke shtuar se në 36-vjeçare ai u largua nga politika për shkak të mospajtimit me projektin “Ballkania” të Adem Demaqit.

“Vetë je zotuar gjatë fushatës se nëse dështon, tërhiqesh. Ec tani, hap rrugë,” përfundon mesazhin e tij Rexhaj. /Kosova.info/


Go to TOP