Rama: Rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme konfirmon manipulimet e LDK-së

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Rama, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për manipulime në procesin zgjedhor duke u bazuar në rezultatet e rinumërimit të 1,631 fletëvotimeve me postë që ishin shpallur të pavlefshme nga KQZ-ja.

Sipas Ramës, nga 1,046 fletëvotime të rinumëruara (pasi 585 dolën sërish të pavlefshme), LDK-ja mori vetëm 104 vota, ose 10%, duke u renditur e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së – një rezultat i ngjashëm me atë të votimit brenda Kosovës.

Ai theksoi se kandidati i LDK-së, i cili kishte përfituar 12,000 vota përmes votimit me postë, nga këto fletëvotime të rinumëruara mori vetëm 9 vota, ose 9% të votave të LDK-së, duke ngritur dyshime për manipulime masive.

“Ky rinumërim nxjerr në pah një realitet shqetësues: lehtësinë me të cilën shpallet i pavlefshëm vullneti i votuesve. Manipulime të tilla dëmtojnë demokracinë dhe pengojnë përparimin e Republikës së Kosovës,” tha Rama.

Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa për të garantuar zgjedhje të lira dhe të drejta, duke siguruar që vullneti i çdo qytetari të respektohet pa ndërhyrje apo manipulime. /Kosova.info/


Go to TOP