Figura të rëndësishme në LDK kërkojnë rinumërim të plotë votave

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të dielën, e ka refuzuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për anulimin e rezultateve të votave me postë dhe përsëritjen e votimit. Vetëvendosje pretendon se votat me postë janë keqpërdorur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. E pikërisht nga kjo parti tashmë ka zëra që kërkojnë rinumërim të plotë të votave.

PZAP tha se refuzimi i kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje ndodhi për shkak se pretendimet e paraqitura për këtë çështje janë parashtruar pas afatit ligjor për ankimim. Por, tani krahas Lëvizjes Vetëvendosje, edhe vet figura të rëndësishme në Lidhjen Demokratike kanë ngritur shqetësime për procesin e numërimit të votave dhe integritetin e votës së diasporës.

Selmanaj: Votat nuk ishin në duar të sigurta

Kandidati për deputet i LDK-së, Driton Selmanaj, ka theksuar se votat në Qendrat Komunale të Numërimit nuk kanë qenë në duar të sigurta dhe se kjo, sipas tij, ka ndikuar në pasqyrimin e vullnetit të qytetarëve.

“Një proces i rregullt zgjedhor është përcaktues për të nxjerrë institucione demokratike. Çdo prekje e votës është vepër penale dhe si pasojë, abuzuesit duhet ta marrin dënimin e merituar. Siç po shihet deri më tani, votat në Qendrat Komunale të Numrimit, nuk kanë qenë në duar të sigurta dhe rrjedhimisht rezultatet nuk e pasqyrojnë vullnetin e votuesve që kanë marrë pjesë në votime”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Sipas tij, manipulimet me votat e diasporës kanë qenë edhe më të theksuara, duke nxjerrë në pah skema të organizuara brenda partive politike për të ndikuar në rezultatet përfundimtare.

“Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe rezultati i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës, kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike. KQZ, Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente, në kuadër të kompetencave ligjore dhe kushtetuese, duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta rikthejnë rregullsinë e procesit dhe me këtë abuzuesit të marrin dënimin e merituar. Vota e secilit qytetarë është e shenjtë dhe të gjithë pa përjashtim duhet të angazhohemi që ato të mbrohen me çdo kusht”, ka shtuar ai.

Sipas Selmanajt, mbrojta e rregullsisë së procesit, ku përmes votës shprehet vullneti politik i qytetarëve, është misioni më patriotik që sot mund t’i bëjmë vendit tonë.

“Pa asnjë dyshim Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta udhëheqë këtë mision! Rinumërimi i votave në gjithë Kosovën dhe përsëritja e votimit të mërgatës, si në përfaqësitë diplomatike ashtu edhe votimi përmes postës, është e vetmja mënyrë që rikthen besimin e të gjithëve për këtë proces elektoral. Demokracia pa sigurinë e votës, ka tjetër emër”, ka shkruar ai. /Kosova.info/

Go to TOP