Debati për ekspozimin publik të AKI-së: ekspertët e sigurisë kritikojnë, presidenca mbron veprimin
Publikimi i një fotografie nga Presidentja Vjosa Osmani me gratë punonjëse të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka nxitur reagime të forta nga ekspertët e sigurisë. Fadil Kajtazi dhe Hyzri Salihu e kanë konsideruar këtë një veprim problematik që cenon standardet e sigurisë kombëtare, ndërsa Presidenca e ka mbrojtur vendimin thënë se identiteti i punonjëseve nuk është ekspozuar.
Kajtazi: Publikimi i fotos së punonjëseve të AKI-së është një precedent i keq që dëmton shërbimin

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, e cilësoi mënyrën e publikimit të fotos si një “shëmti” duke theksuar se problemi nuk është vetëm dekonspirimi i oficerëve, por edhe perceptimi publik që krijohet nga një veprim i tillë.
“Jo për faktin se u dekonspiruan oficerët e AKI-së, por fotoja e tyre me prapanicë nga taksapaguesit është një shëmti. Sa i përket identitetit të tyre, nuk do të thosha se është ndonjë sekret i madh që është zbuluar. Kosova është vend i vogël dhe me një interesim të thjeshtë, për një kohë të shkurtër mund t’i identifikosh të gjithë se kush janë punonjësit e këtij institucioni. Shto kësaj edhe maninë e vetë zyrtarëve për t’u mburrur. Jam i bindur se ata që janë të interesuar për t’i ditur se kush punon në këtë institucion, veç i kanë listat”, tha Kajtazi për Kosova.info.
Sipas Kajtazit, rreziku më i madh për AKI-në nuk është ekspozimi i stafit, por ndikimi politik dhe mungesa e një procesi të pastër rekrutimi.
“Me rëndësi vitale është që oficerët e shërbimit të rekrutohen nga brumi i personave atdhetar dhe inteligjent, gjë që nuk është bërë nga ndërhyrjet e politikës. Në punën e shërbimeve inteligjente është shumë me rëndësi që të jetë sekret ‘rrjeti operativ’ (informatorët) dhe metoda operative e punës. Për më tepër, me këtë ekspozim, Presidentja ka shkelur ligjin, dhe për këtë punë ekziston një rregull i cili thotë: nëse në nivelet e larta ligji shkelet sa vrima e gjilpërës, në nivele e mesme dhe të ulëta, kjo vrimë e gjilpërës shndërrohet në portë kalaje. Ky është një precedent i keq, i cili e dëmton punën e shërbimit.”
Salihu: Ekspozimi i personelit të AKI-së është problematik dhe cenon standardet e sigurisë

Në të njëjtën linjë kritikash është edhe eksperti tjetër i sigurisë, Hyzri Salihu, i cili paralajmëroi për rrezikun që sjell ekspozimi i personelit të një shërbimi inteligjent.
“Edhe nëse ky veprim është bërë me lejen e AKI-së, ai mbetet problematik nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe ekspozimit të personelit të shërbimeve inteligjente. Leja administrative nuk e zhbën rrezikun operacional, sepse konfidencialiteti i stafit të AKI-së është një standard i patjetërsueshëm që nuk duhet të vihet në diskutim për asnjë arsye, madje as për ngjarje simbolike apo protokollare”, tha Salihu për Kosova.info.
Salihu theksoi katër probleme kryesore që lindin nga ky veprim:
1. Rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë personale të stafit – Publikimi i identitetit të punonjësve të një shërbimi inteligjent i bën ata më të prekshëm ndaj kërcënimeve nga elementë kriminalë, aktorë armiqësorë dhe shërbime të huaja inteligjente.
2. Cenimi i standardeve profesionale dhe ndërkombëtare – Shërbimet inteligjente funksionojnë mbi bazën e fshehtësisë dhe anonimatisë. Në asnjë vend të botës nuk është praktikë e pranueshme që stafi i një agjencie të tillë të bëhet publik në këtë mënyrë.
3. Ndikimi në kulturën e sigurisë brenda AKI-së – Një veprim i tillë krijon një precedent të rrezikshëm dhe ul standardet e mbrojtjes së identitetit të personelit, dobësuar më tej kulturën e fshehtësisë që është jetike për çdo shërbim inteligjent.
4. Perceptimi i ndërhyrjes politike – Pavarësisht se cila qeveri është në pushtet, një institucion si AKI duhet të mbetet i depolitizuar dhe i distancuar nga çdo përfshirje në aktivitete që nuk lidhen drejtpërdrejt me detyrat e tij ligjore.
Kupina (Presidenca): Publikimi është bërë me vlerësimin e AKI-së dhe nuk cenon sigurinë

Në anën tjetër, Presidenca ka mohuar se fotoja ka cenuar sigurinë ose konfidencialitetin e punonjëseve të AKI-së. Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, deklaroi për RTKlive se publikimi është bërë pas vlerësimit të vetë AKI-së dhe se nuk përbën shkelje të standardeve të sigurisë.
Presidentja Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook, e ka vlerësuar punën e grave në inteligjencë i quajtur “heroina të fshehta”.
“Vendimet strategjike të Republikës së Kosovës varen shpesh nga puna e padukshme, por fundamentale e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, isha në mesin e heroinave tona të fshehta, grave të fushës së inteligjencës, të cilat në çdo kohë janë aty ku duhet dhe me krenari mbrojnë interesin e Kosovës,” ka shkruar ajo.
Debati mbetet i hapur, me ekspertët që paralajmërojnë për rreziqet e ekspozimit të shërbimeve inteligjente dhe me Presidencën që e sheh këtë si një akt simbolik për të vlerësuar gratë në sigurinë kombëtare. /Kosova.info/
