Murati akuzon LDK-në për manipulim të votave me postë: Modeli i votës tregon dorë tjetër

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka vazhduar me akuzat ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke pretenduar se kjo parti ka manipuluar votat me postë në zgjedhjet e fundit.

Në një reagim të dytë publik, Murati ka thënë se rritja e votave të LDK-së nga diaspora është abnormale dhe nuk përfaqëson trupën e saj votuese. Ai ka analizuar përputhshmërinë e votave me postë dhe atyre në ambasada, duke thënë se për LDK-në përputhshmëria mes kandidatëve të votuar është vetëm 40%, krahasuar me 90% për Lëvizjen Vetëvendosje dhe 80% për PDK-në.

Sipas Muratit, modeli i votës tregon se votuesit e rregullt të LDK-së nuk kanë preferuar kandidatët që kanë marrë më shumë vota me postë, duke përmendur si shembull Hysen Çekajn, Bahrije Hysenin dhe Alban Zogajn, të cilët kanë dalë përpara figurave të njohura si Kujtim Shala, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti.

“Është e qartë që dora që ka mbushur fletëvotimet për LDK-në nuk është trupa e saj votuese, por një dorë tjetër që ka deformuar rezultatin”, ka thënë Murati.

Ai ka kritikuar organet e rendit për mosveprim ndaj këtyre pretendimeve dhe ka ngritur shqetësimin për heshtjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me këtë çështje. /Kosova.info/

Go to TOP