Tahiri reagon për pretendimet mbi numërimin e votave: Drejtësia do të triumfojë

Kandidati i LDK-së për deputet, Xhafer Tahiri, ka reaguar ndaj raportimeve që e përmendin emrin e tij lidhur me procesin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Tahiri ka mirëpritur hetimet e prokurorisë, duke theksuar se vërejtjet për procesin i ka shprehur me kohë dhe se e vërteta do të vërtetohet nga drejtësia.

“Lidhur me lajmet që përmendin emrin tim, unë e përsëris, nuk kam të bëjë me to dhe nuk ka asgjë të vërtetë në to. Këtë do ta vërtetoj drejtësia me kohë,” ka deklaruar Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se numërimi është zhvilluar në prani të 4-5 komisionerëve nga parti të ndryshme politike, si LDK, VV, PDK, AAK dhe Nisma, të cilët kanë nënshkruar formularët e numërimit sipas rregullave të KQZ-së. Tahiri ka shtuar se i gjithë procesi ka qenë nën vëzhgimin e kamerave.

“A besoni se 5 komisionerë nga parti të ndryshme janë bashkuar për t’i ndihmuar një kandidati të LDK-së? Sulmeve politike dhe akuzave të pabaza nuk i përgjigjem, kemi punë për rikthimin e LDK-së,” ka thënë ai.

Tahiri ka vlerësuar rritjen me mbi 1400 vota të LDK-së në Vushtrri, duke e cilësuar këtë si një hap në rrugën e rikthimit të partisë në këtë komunë, pavarësisht se rezultati nuk ishte i mjaftueshëm për fitore.

Në fund, ai ka falënderuar aktivistët dhe qytetarët për mbështetjen, duke shprehur bindjen se e vërteta do të dalë në shesh. /Kosova.info/


Go to TOP