Qeveria shqiptare miraton mbylljen e TikTok-ut

Qeveria shqiptare miratoi më 6 mars mbylljen e platformës sociale, TikTok, në gjithë territorin e Shqipërisë për një vit.

Propozimi për mbylljen e TikTok-ut ishte bërë në fund të vitit të kaluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas Qeverisë, vendimi është marrë pas konsultimit me prindër dhe mësues dhe rekomandimi për mbylljen e përkohshme të kësaj platforme është bërë nga një grup ndërinstitucional.

“Është mbyllje e përkohshme e qasjes në Tik Tok. I kemi dhënë vetes deri në 12 muaj kohë që të marrim të gjitha masat e nevojshme në bashkërendim me përfaqësuesit e kësaj platforme të marrim masat për të vendosur kushte dhe kritere që qasja në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë. Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike brenda disa ditëve apo javësh do të mundet të realizojë këtë ndërprerje të përkohshme të qasjes në TikTok”, tha ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu.

Ajo tha se janë marrë informacionet e duhura nga Policia e Shtetit se ka pasur një numër të lartë të videove dhe materialeve të tjera të publikuara në këtë platformë që nxisin akte dhune dhe bullizmi.

Sipas saj, rreth 65.000 prindër janë pyetur për këtë vendim në mbi 1.300 takim dhe janë shprehur në favor të mbylljes ose kufizimit të TikTok-ut.

Konsultimet me prindër dhe mësues nisën pasi Shqipëria u trondit më 18 nëntor të 2024 kur Martin Cani, nxënës i shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, u vra me thikë nga bashkëmoshatari i vet në qendër të Tiranës.

Pas vrasjes së tij qarkulluan video në TikTok, ku të mitur shpreheshin pro vrasjes. Gjithashtu, pas vrasjes së tij u publikua fotografia e autorit – i cili u arrestua – që tregonte plagën që kishte marrë në dorë dhe ai u shfaq duke ngritur grushtin lart.

Pas vendimit të Qeverisë reagoi kreu i Partisë Demokratike në opozitare, Sali Berisha. Sipas tij, Qeveria po e censuron këtë platformë në kulmin e fushatës elektorale, pasi siç tha ai, ka frikë nga fjala e lirë dhe ndikimi i saj te të rinjtë. Për të kundërshtuar këtë vendim, Berisha thirri një protestë kombëtare në Tiranë, më 15 mars.


Go to TOP