Kurti: Çdo kompromis me Epopenë, është kompromis dhe pazar me lirinë

 Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në mbledhjen solemne të Qeverisë tha se çdo kompromis me Epopenë dhe përcaktimin e saj, është kompromis dhe pazar me qenien me lirinë.

Tha se sovraniteti është një emancipim, e çdo lëshim, sipas tij, në kufi apo në veri ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën.

“Çdo kompromis me Epopenë dhe përcaktimin e saj është kompromis dhe pazar me qenien me lirinë tonë, i cili sjellë më pak liri, pra sjell robëri. Çlirimi i një populli dhe sovranizimi shtetëror i tij, përbëjnë lirinë që fitohet dhe lirinë që mbrohet. Sovraniteti, është një emancipim, çdo lëshim në kufi apo në veri ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën. Ne i kemi shpallur zotimet tona, si për mandatin e shkuar ashtu edhe për mandatin e ardhëm, për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Kurti.

Organizimi më i madh i krimit, sipas kryeministrit, e ka burimin në vendet ku është bërë kompromis me lirinë e përcaktimit të një shteti me sovranitetin.

“Andaj, sot jam krenar si kryeministër i Kosovës të deklaroj se ne jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja, dhe se kemi ecur në katër vite në ritmin e saj dhe në perspektivën e hapur prej saj”, tha kreu i qeverisë.

Tutje, vijoi Kurti se asnjë politik e asnjë qeverisje nuk mund të bëjë kompromis me historinë e tyre të ardhshme.

“Sepse, ne, si mendim e si veprim jemi të rrethuar në veprimtarinë tonë, nga njëra anë prej ritmit që iu përcaktua historisë tonë politike në datat 5,6 e 7 marsit 1998, dhe në anën tjetër, prej idealit të projektuar falë flijimit të madh të Prekazit për të ardhmen tonë”, shtoi ai.

Sipas kryeministrit, çdo ngushtim i politikës në treva e krahina, është përpjekje për korruptim të kësaj Epopeje.

“Çdo përvetësim i Epopesë dhe i luftës, është korruptim i idealit të Epopesë. As edhe Kosova nuk e ka të drejtën që si e vetme ta përcaktojë historinë e Prekazit. Prekazi iu përket të gjithë shqiptarëve që mbajnë këtë emër, por edhe gjithë popujve liridashës të mbarë njerëzimit e përgjatë historisë”, përfundoi Kurti.

Kurti: Epopeja e UÇK-së na ka përcaktuar ritmin e mendimit politik

Në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës në nisjen e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se sot, ndajnë 27 mote prej ngjarjes më të lavdishme të historisë së Kosovës.

“Ngjarje që përmblidhet nën fjalën Epope, krejt sikurse emri që i është vënë na e ka ritmuar historinë tonë bashkëkohore për më shumë se një çerek shekulli. Kjo do të thotë se na ka përcaktuar ritmin e mendimit politik dhe jo vetëm. Emrat Shaban, Adem e Hamëz janë kthyer në absolutët tanë. Gratë e familjes Jashari janë bërë simboli i marrëdhënies mes gruas së popullit autokton. Fëmijët e familjes Jashari janë tashmë simboli më i madh i masës historike të flijimit të popullit tonë”, tha Kurti.

Ai tha se në atë lëndinën e Prekazit, emrat Jashari e të tjerët që prehën me ta, janë emrat absolut të lirisë, e në atë datë kur lindi Ademi i madh, në datën më historike të shqiptarëve, 28 Nëntorin,  shpallet edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sipas kreut qeveritar, na takon si popull e  shoqëri, në qeverisje e zhvillim të ruajmë ritmin e bërjes së historisë.

“Distanca jonë kohore prej këtyre ditëve shembullore mbushi kohën e pjekurimit të një brezi. 27 vjeçarët e sotëm, kanë lindur në motin e Epopesë. Çfarë themi kur Epopeja na ka përcaktuar një ritëm, ç’është ky ritëm? E gjejmë në fjalët e bacës Rifat në 25 vjetorin e Epopesë përpara trupës së ushtrisë tonë kur tha, -“Mbi luftën e gjakun, të gjemë një gjuhë të përbashkët.” Në Kuvend, po baca Rifat e artikuloi edhe më tej. -“ Të jemi të një gjuhe, për t’u ndarë një herë e mirë prej Serbisë, e pastaj kemi kohë të merremi me të gjitha të tjerat”, citoi Kurti fjalën e Rifat Jasharit.

Tutje ai tha se beson që në mandatin e tyre qeverisës, përcaktimin më të lartë e kanë pasur në zhvillimin e kësaj linje, në mbajtjen e këtij ritmi. “Shtet si sovranitet për liri të popullit në territor me integritet”.

Kryeministri në këtë mbledhje solemne, tha se Epopeja e UÇK-së ka vetëm një adrese, lirinë nga pushtuesi serb, dhe vetëm një horizont, bashkimin.

“E meqë ka adresë dhe horizont, ngjarja e madhërishme e marsit 1998 është ngjarje e përkryer, një ngjarje e përkryer që nuk na lejon asnjë hezitim asnjërit. Nuk mund të jemi njësh me vetën, nëse nuk i qëndrojmë atij përcaktimi. Emri Epope, për një ngjarje të tillë nuk është emri vetëm për ato tri ditë, por për tërë kohën liridashëse e shtetformuese”, tha kryeministri.


Go to TOP