Abdixhiku në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Sakrifica e familjes Jashari, themeli i lirisë së Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot sakrificën sublime të familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës, në 27-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një mesazhi, Abdixhiku tha se datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë momentet më kulminante të luftës për liri duke vlerësuar se qëndresa e familjes Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës.
“27 vjet më parë, Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re. Qëndresa e familjes Jashari përballë forcave serbe ishte e pakapërcyeshme dhe dëshmoi vendosmërinë e popullit të Kosovës për çlirim,” tha Abdixhiku.
Ai theksoi se sakrifica e familjes Jashari, e prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, është unike dhe e përjetshme në historinë e Kosovës.
“Familja Jashari është shembulli më i pastër i asaj që mund të bëjë një popull për lirinë e tij. Lavdi e përjetshme për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët anë e kënd Kosovës,” përfundoi Abdixhiku.
Epopeja e UÇK-së përkujtohet çdo vit si simbol i qëndresës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës, ndërsa beteja heroike e familjes Jashari mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit. /Kosova.info/
