Haziri shënon 35-vjetorin e LDK-së në Gjilan: Viti i falënderimit për Rugovistët
Në një ngjarje të veçantë në Gjilan, Lidhja Demokratike e Kosovës shënoi 35-vjetorin e themelimit të degës së saj në këtë qytet duke rikujtuar momentet e rëndësishme të historisë së partisë shtetformuese.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë fjalës së tij theksoi se kjo ngjarje është një mundësi për të falënderuar Rugovistët dhe ata që kontribuuan për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Ai rikujtoi se Dega e LDK-së në Gjilan u themelua më 4 mars 1990, ku Musa Qerimi u zgjodh kryetar i Kuvendit Zgjedhor. Gjithashtu, Haziri theksoi se themelimi i LDK-së në këtë qytet u parapri nga Këshilli Organizativ për themelimin e partisë, me kryetar veprimtarin e madh Dalip Dalipi.
“2025-ta do të jetë viti i falënderimit për LDK-në dhe Rugovistët, ata burra dhe gra që i dhanë shpresë dhe besim Kosovës për një të ardhme më të mirë,” tha Haziri.
Në këtë përvjetor të shënuar, ai falënderoi veprimtarët dhe aktivistët për kontributin e jashtëzakonshëm, veçanërisht ata që nuk janë më në mesin e tyre dhe që nuk u frikësuan nga vështirësitë e kohës.
Haziri gjithashtu i shprehu falënderimet e tij gjilanasve dhe të gjithë Anamoravës duke theksuar se ata ishin pjesë e rëndësishme e ndërtimit të një shteti të pavarur. /Kosova.info/
