Arrestohen dy persona për grabitje të armatosur në Ferizaj

Policia e Rajonale e Ferizajt ka arrestuar dy persona, të dyshuar për grabitje të armatosur në një market në rrugën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj.

Rasti ka ndodhur më 03.03.2025, rreth orës 18:25, kur policia ka marrë informacion për një grabitje të armatosur në këtë lokal tregtar.

Menjëherë pas njoftimit, patrullat e policisë, hetuesit e stacionit policor të Ferizajt, hetuesit rajonalë dhe krimteknikët kanë dalë në vendngjarje për të kryer hetimet dhe ekzaminimet e nevojshme. Pas shqyrtimit të deklaratës së punëtores së marketit dhe analizimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, është konstatuar se dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në market dhe, nën kërcënimin e armës, kanë marrë një shumë të parave prej rreth 1,000 euro.

Përmes një pune intensive hetimore, hetuesit rajonalë kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë dy të dyshuarit, I.D. (35) dhe M.Q. (27). Me urdhër të gjykatës, është realizuar bastisja e banesave të tyre, ku janë siguruar prova që lidhen me rastin e grabitjes.

Pas intervistimit të dy të dyshuarve, dhe pas vendimit të prokurorit të shtetit, ata janë ndaluar për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejshme hetimore. Policia e Rajonale e Ferizajt ka konfirmuar se janë duke vazhduar hetimet për të zbuluar detaje të tjera lidhur me këtë ngjarje kriminale. /Kosova.info/

Go to TOP