KPK dhe Prokurori i Shtetit reagojnë ndaj deklaratave të Kurtit: Inkurajojmë Prokurorinë Speciale për të fuqizuar sundimin e ligjit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë reaguar ndaj deklaratave publike të Kryeministrit Albin Kurti, i cili ka refuzuar të paraqitet në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.
Në një deklaratë të përbashkët, KPK dhe ZKPSH theksojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të interpretohet sipas interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit, duke konsideruar deklaratat e tij si cenim të funksionimit të institucioneve demokratike.
“Veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe për Kryeministrin, Qeverinë dhe çdo qytetar të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
KPK dhe Prokurori i Shtetit kanë inkurajuar fuqishëm Prokurorinë Speciale që të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në përpjekjet për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe ndriçimin e secilit rast penal që bie në kompetencën e saj.
Reagimi i institucioneve të drejtësisë vjen pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte lëshuar urdhër për paraqitjen e Kurtit në Prokurori, një urdhër që Kryeministri në detyrë e ka refuzuar publikisht. /Kosova.info/
