Digjitalizimi i shkollave në Prishtinë, nis projekti për tabela digjitale në kuadër të strategjisë 2022-2026
Projekti për digjitalizimin e plotë të shkollave në Kryeqytet po hyn në një fazë të re me furnizimin e institucioneve arsimore me tabela digjitale, të cilat do të lehtësojnë procesin e mësimnxënies dhe do të sjellin inovacion në klasat shkollore.
Ceremonia zyrtare e fillimit të këtij procesi do të mbahet nesër, më 4 mars 2024, në ora 13:00, në shkollën fillore “Dardania”, ku do të marrin pjesë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nënkryetarja Jehona Lushaku, si dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, Nuno Queirós, së bashku me partnerët mbështetës të projektit.
Ky projekt është pjesë e programit për Modernizimin e Arsimit përmes Inovacionit dhe Trashëgimisë (METIAH), që synon integrimin e teknologjisë digjitale në të gjitha shkollat e Prishtinës, në kuadër të Strategjisë së Arsimit 2022-2026.
Me këtë nismë, Kryeqyteti synon të krijojë kushte moderne për mësimdhënie, duke ofruar mjete inovative që përmirësojnë cilësinë e edukimit dhe përgatitin nxënësit për sfidat e së ardhmes. /Kosova.info/
