Rrugët me gropa në kryeqytet, shqetësojnë qytetarët

Komuna e Prishtinës vazhdon të ketë probleme me disa nga rrugët e saj, në të cilat gropat janë bërë rrezik në komunikacion. Përveç aksidenteve, ato po u shkaktojnë ngasësve edhe dëme në vetura. Shmangia nga gropat tashmë po bëhet përditshmëri e ngasësve në disa nga rrugët e kryeqytetit.

Disa nga rrugët në kryeqytet janë bërë vështirë të kalueshme si pasojë e dëmtimit të tyre dhe gropave në rrugë. Një nga to është rruga ‘Bajram Bahtiri’, në të cilën shihen gropa të shumta gjatë rrugës. Qytetarët thonë se kjo gjendje po u sjell ngasësve dëme të mëdha në makina.

“Telashe kemi shumë të mëdha, edhe me kamion edhe me makina. Ja vetura e ka ble djali 20 mijë euro dhe ka telashe. Kjo rrugë sikurse me qenë e mallkuar”, tha Muharrem Krasniqi, qytetar.

Hiç më mirë nuk janë edhe rruga ‘Hekurudha’, ‘Agim Ramadani’ dhe rrugë të tjera në kryeqytet.

“Shumë shqetësuese sepse janë të mundura edhe aksidentet e papritura dhe mund të këtë pasoja për qytetarët. Mesazhi im është që komuna sa më shpejtë të merr masa për sanimin dhe evitimin e tyre”, tha Naim Gashi, qytetar.

Madje dëmtimet në rrugë paraqesin edhe rrezik në komunikacion, thotë Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit rrugor.

“Faktorët e sigurisë janë njeriu, automjeti dhe rruga. Këtu kemi të bëjmë me faktorin rrugë. Arsyeja është se nëse ka gropa, problemi qëndron të operatorët që merren me sanim të tyre dhe duhet të jenë sa më të shpejtë në mbulimin e gropave. Gropat dëmtohen kur cilësia e asfaltit është e dobët, pastaj të reshurat që gropat mbulohen me ujë dhe akull dhe kjo ka mundësi që të shkaktojë aksident”, tha Ahmeti.

Për gjendjen e rrugëve u përgjigj drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale në Prishtinë.

“Në rrugën ‘Agim Ramadani’ së shpejti pritet të fillojë projekti i nënkalimit, prandaj edhe nuk kemi investuar. Në rrugën ‘Bajram Bahtiri’, Kompania e Ujësjellësit po i kryen punimet, prandaj pas intervenimit, fillon edhe mbyllja e gropave me asfalt”, tha Xhaferi.

Ai theksoi se tashmë me përmirësimin e kushteve atmosferike, komuna ka filluar me trajtimin e rrugëve dhe të gropave.


Go to TOP