Rama diskuton me Shoqatën e Transportit Prishtinë–Podujevë për integrimin në reformën e transportit urban

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mirëpritur në Odën e Kryeqytetit përfaqësuesit e Shoqatës së Transportit Ndërurban Prishtinë–Podujevë, ku u diskutua për hapat drejt integrimit të këtij shërbimi në reformën e transportit urban të kryeqytetit.

Gjatë takimit, Rama dëgjoi shqetësimet e transportuesve lidhur me funksionimin e shërbimeve ndërurbane, duke u angazhuar që çështjet e ngritura të adresohen nga ekipet përkatëse në mënyrë që të gjenden zgjidhje optimale.

“Bashkëpunimi mes komunave është kyç për një transport më efikas dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët. Fokusi ynë mbetet përmirësimi i qarkullimit urban, respektimi i ligjshmërisë dhe përcaktimi i vendndalimeve për autobusët në hyrje dhe brenda Unazës së Prishtinës,” tha Rama.

Ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve për të përmirësuar infrastrukturën e transportit publik dhe për të ofruar një lidhje më të mirë për qytetarët e Podujevës që udhëtojnë drejt Prishtinës. /Kosova.info/


Go to TOP