Promovohet monografia dhe albumi muzikor “Gjurmë të Qamilit të Vogël”
Në Prishtinë është promovuar monografia dhe albumi muzikor me titull “Gjurmë të Qamilit të Vogël në Muzikë”, me autorë Krenar Doli dhe Bestar Vula.
Ky ngjarje kulturore, e organizuar me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), solli interpretime të veprave të Qamilit të Vogël, të performuara nga grupi muzikor “Rilindja”, si dhe një pikë artistike nga aktori i njohur Jahja Shehu.
Për rëndësinë dhe vlerat e monografisë folën recensentët, Bekim Ramadani dhe Albin Sadiku, si dhe autorët e veprës, të cilët ndanë me të pranishmit procesin e punës dhe motivin që i shtyu të dokumentojnë trashëgiminë muzikore të kësaj figure të shquar.
Ndërsa ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, në fjalën e tij tha se është i lumtur që MKRS përkrah projekte e botime të cilat shërbejnë në ruajtjen, kujtimin dhe promovimin e figurave që dhanë shumë për kulturën tonë.
Në emër të familjes së Qamilit të Vogël, e pranishme në këtë promovim ishte vajza e tij, Shqipe Muhaxhiri, e cila shprehu mirënjohjen për këtë projekt që ndriçon veprën dhe jetën e babait të saj, duke e quajtur këtë monografi një urë lidhëse mes brezave dhe një kujtesë të përhershme për kontributin e tij në muzikën shqiptare.
