Maliqi: Përçarja BE-SHBA sfidë për Kosovën, por mundësi për integrim

Analisti Agon Maliqi ka analizuar ndikimin e luftës në Ukrainë në stabilitetin evropian dhe pozicionin e Kosovës duke theksuar se përçarja mes BE-së dhe SHBA-ve e vendos Kosovën në një situatë të vështirë gjeopolitike.

Sipas tij, përfundimi i konfliktit në Ukrainë mund të mos jetë ideal për Kievin dhe ta lërë Evropën të ekspozuar ndaj kërcënimeve të Rusisë. Megjithatë, ai beson se momentumi gjeopolitik nuk është domosdoshmërisht në dëm të Kosovës.

“Strategjia SHBA-Rusi për zgjidhje të kontesteve dypalëshe mund të përfshijë edhe Ballkanin, çka ndoshta shpjegon shqetësimin e Serbisë, vizitën e Gjuriqit në Moskë dhe qëndrimin e saj në OKB kundër Rusisë dhe SHBA,” tha Maliqi.

Ai vlerëson se kthimi i Ballkanit në një arenë kontesti mes BE-së dhe SHBA-ve mund të krijojë presion pozitiv mbi Evropën për të zhbllokuar rrugën e Kosovës drejt integrimit. Po ashtu, ai nënvizon se pozicioni i Kosovës forcohet nga rikthimi i Britanisë në kampin evropian të sigurisë përmes dialogut strategjik Gjermani-Francë-Britani.

Maliqi thekson se interesi i Kosovës është të mbajë SHBA-në të angazhuar si partner sigurie duke ruajtur njëkohësisht rreshtimin me vlerat evropiane dhe synimin për integrim në BE. Ai paralajmëron se çdo thirrje për shpërfilljen e SHBA-ve është qasje naive ose aventurizëm ideologjik. /Kosova.info/


Go to TOP