Lushaku: LDK fitoi besimin e prishtinasve, sfida e radhës është shumëfishimi i punës
Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Donat Lushaku ka falënderuar qytetarët e Prishtinës për mbështetjen e dhënë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e fundit duke theksuar se numri i votave të fituara, pa përfshirë votat e diasporës dhe ato me kusht, reflekton një besim të rëndësishëm që duhet vlerësuar.
Ai ka pranuar se rezultati mund të kishte qenë edhe më i lartë, por ka theksuar se fokusi tani duhet të jetë në rritjen e angazhimit dhe shumëfishimin e punës ndaj secilit qytetar. Sipas tij, përkushtimi i vazhdueshëm është e vetmja rrugë për të siguruar fitoren e ardhshme në kryeqytet.
“Për Prishtinën nuk ka ditë pushimi, por vetëm përkushtim,” ka deklaruar Lushaku duke shtuar se kudo ku ka pasur mundësi për të kontribuar politikisht dhe menaxherialisht, është udhëhequr dhe do të udhëhiqet nga ky parim. /Kosova.info/
