Gashi: Kosova ka nevojë për stabilitet, jo aventura politike

Hoxhë Drilon Gashi ka shprehur shqetësimin e tij si qytetar për të ardhmen e Kosovës duke theksuar nevojën për stabilitet dhe qeverisje të përgjegjshme. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ai ka komentuar mbi diskutimet e fundit për një koalicion të ri qeverisës duke argumentuar se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, por për një udhëheqje të qëndrueshme.

Ai ka propozuar një bashkëpunim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës duke e cilësuar si një zgjidhje pragmatike dhe të mençur për të siguruar stabilitet politik dhe qeverisje profesionale.

Sipas tij, një qeveri me shumicë stabile në Kuvend do të shmangte krizat e vazhdueshme, ndërsa një kabinet i formuar nga profesionistë të vërtetë do të mund të sillte përmirësime konkrete në jetën e qytetarëve. Ai ka sugjeruar gjithashtu që Lumir Abdixhiku të drejtonte Kuvendin dhe Glauk Konjufca të merrte postin e Presidentit, për të forcuar unitetin politik dhe imazhin demokratik të Kosovës.

“Duam një qeveri që punon për ne, që ofron zgjidhje dhe nuk na çon nga një krizë në tjetrën,” ka theksuar Gashi duke apeluar për vendime të mençura në të mirë të qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. /Kosova.info/


Go to TOP