Trajnim i parë në Kosovë për kujdesin ndaj personave me demencë, i rganizuar nga Caritas Kosova dhe shoqata Nënë Tereza

Caritas Kosova dhe Shoqata Nënë Tereza, në kuadër të projektit CARES, organizuan për herë të parë në Kosovë një trajnim të rëndësishëm për kujdesin ndaj personave të prekur nga demenca.

Trajnimi, i cili u zhvillua për dy ditë radhazi nën udhëheqjen e ekspertes austriake znj. Sigrid Spindlbeck, ishte i dedikuar për infermierët dhe punonjësit socialë të angazhuar në shërbimet e Home Care. Qëllimi kryesor ishte rritja e ndërgjegjësimit dhe aftësive profesionale për menaxhimin e demencës, duke ofruar njohuri të thelluara mbi nevojat dhe sfidat e individëve që jetojnë me këtë gjendje.

Një nga pikat kulmore të trajnimit ishte përdorimi i “dementia simulator”, një aktivitet inovativ që u mundësoi pjesëmarrësve të përjetojnë sfidat me të cilat përballen personat me demencë. Kjo përvojë ndihmoi në krijimin e një kuptimi më të mirë mbi historinë, nevojat dhe përvojat e tyre të përditshme.

Projekti CARES synon të përmirësojë cilësinë e kujdesit dhe mbështetjes për personat me demencë në Kosovë. Ky projekt mbështetet nga Caritas Austria dhe Ministria Federale Austriake për Punë, Çështje Sociale, Shëndetësi dhe Mbrojtje të Konsumatorit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe social në vend./kosova.info

Go to TOP