Kurti kujton Milan Šufflay: Historiani kroat që sfidoi pretendimet serbe mbi trevat shqiptare
Në përvjetorin e 94-të të vrasjes së tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar historianin e shquar kroat Milan Šufflay, një nga themeluesit e albanologjisë dhe studiues i historisë mesjetare të shqiptarëve.
Šufflay u vra më 19 shkurt 1931 në Zagreb, pasi u sulmua me shufër metalike në hyrje të banesës së tij nga anëtarë të organizatës terroriste “Jugosllavia e Re”, që vepronin me urdhër të autoriteteve serbe. Pas sulmit, atentatorët morën edhe dorëshkrimin e papërfunduar të vëllimit të tretë të veprës monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”.
Vrasja e tij shkaktoi reagime ndërkombëtare, përfshirë një protestë nga fizikani Albert Einstein dhe shkrimtari Heinrich Mann në gazetën “The New York Times”, ku dënonin aktin dhe e cilësonin të papranueshëm glorifikimin e vrasësve për qëllime politike.
Milan Šufflay lindi në vitin 1879 në Lepoglavë dhe studioi në Zagreb e Vjenë për histori, paleografi dhe diplomatikë. Ai la një trashëgimi të pasur me studime mbi historinë e shqiptarëve duke kundërshtuar pretendimet serbe mbi trevat shqiptare me argumente të fuqishme historike.
Disa nga veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe, si “Serbët dhe arbërit”, “Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht në mesjetë” dhe “Histori e shqiptarëve të Veriut (studim sociologjik)”. Në përkujtim të tij, Kryeministri Kurti e vlerësoi Šufflayn si një figurë të jashtëzakonshme, duke shprehur mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në ndriçimin e historisë shqiptare. /Kosova.info/
