Zonja Presidente Osmani, ju siguroj se do të vazhdoj me të njëjtin përkushtim në shërbim të Zotit, kombit dhe vlerave të tyre më të larta

Shkruan: Don Fran SOPI, Kisha Katolike “Shën Katarina”, Pejë

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,

Me respekt dhe mirënjohje të thellë, përmes këtij postimi për mediat e shkruara ditore në gjuhën time amëtare, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të përzemërta për këtë nder të madh që më keni dhuruar, duke më dekoruar me Dekoratën Presidenciale “Prof. Anton Çetta”, në kuadër të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ky vlerësim ka një domethënie të veçantë për mua, pasi nuk është vetëm një mirënjohje për përkushtimin tim shpirtëror dhe shoqëror, por edhe për idealin e pajtimit, që mbetet një nga gurët themelorë të unitetit tonë kombëtar.

Ky moment përfaqëson për mua një privilegj të madh, një përgjegjësi të thellë dhe një angazhim për të vijuar rrugën e shërbimit ndaj Zotit, kombit dhe kulturës sonë të pasur.

Të nderohesh me një dekoratë që mban emrin e profesor Anton Çettës, një personaliteti të shquar që i dha frymë dhe jetë misionit të pajtimit dhe ruajtjes së trashëgimisë sonë, është një krenari dhe një detyrim moral për ta mbajtur gjallë këtë frymë bashkimi dhe pajtimi mes shqiptarëve.

Profesor Anton Çetta ishte një figurë e ndritur e historisë sonë, një burrë urtie dhe sakrifice, i cili e vendosi interesin kombëtar mbi gjithçka tjetër. Ai e kuptoi thellësisht rëndësinë e pajtimit në një kohë kur ndasitë ishin plagë të hapura në shoqërinë tonë. Me vizionin e tij largpamës, ai udhëhoqi nismën e madhe të Pajtimit të Gjaqeve gjatë viteve ’90, duke vepruar konform kauzës kombëtare e shpëtuar mijëra jetë dhe duke rikthyer harmoninë dhe dashurinë në shumë familje shqiptare.

https://l.facebook.com/l.php?u=https%3A%2F%2Fkosova.info%2Fpresidentja-e-republikes-se-kosoves-dekoron-don-fran-sopin-dhe-mulla-xhevat-kryeziun-me-medaljen-prof-anton-cetta%2F&h=AT38qpkfgtQ4rlO_KjM_bS4BMWK_Vns8CaFlfKvnnme89MII2VgsHZxAAM4aesFouqTpR3poV9V4z_-n4KZDDLa21Vuvh0f9xOjzWLNuPJg_cKu2NtDPfu8HFCnUywUWtUyW&s=1

Prof. Anton Çetta nuk ishte vetëm një pajtimtar, por edhe një studiues i spikatur i folklorit, një mbrojtës i gjuhës shqipe dhe një simbol i ruajtjes së identitetit kombëtar. Përmes punës së tij të palodhur, ai mblodhi, sistemoi dhe publikoi thesare të kulturës sonë popullore, duke siguruar që traditat tona të mos zhbëhen nga harresa e kohës. Për këtë arsye, ai mbetet një figurë që i kapërcen kufijtë e kohës dhe vendit, duke u shndërruar në një model frymëzimi për të gjitha gjeneratat që vijnë pas.

Të marrësh këtë dekoratë që mban emrin e tij është një përgjegjësi e madhe dhe një nxitje e fuqishme për të vazhduar misionin tim në shërbim të komunitetit dhe të vlerave të vërteta njerëzore. Pajtimtarët si prof. Anton Çetta na mësojnë se vetëm duke ndërtuar ura bashkimi dhe duke kapërcyer ndasitë mund të ecim përpara si një komb i fortë dhe i bashkuar.

Si shërbyes i Zotit dhe i popullit tim, jam tejët i ndërgjegjësuar për nevojën e vazhdueshme për të ruajtur dhe promovuar përherë vlerat tona më të shenjta: përshpirtërinë, besën, drejtësinë, pajtimin dhe solidaritetin njerëzor. Kombi ynë ka një histori të pasur sakrifice dhe heroizmi, që duhet të trashëgohet tek brezat e ardhshëm me të njëjtin përkushtim dhe vendosmëri.

Dëshiroj të shpreh një falënderim të veçantë për Forumin e Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë, për angazhimin e tyre të palodhur në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare dhe kulturore. Po ashtu, mirënjohjen për të gjithë ata që mbajnë gjallë trashëgiminë e Anton Çettës, duke e kthyer emrin e tij në një simbol të përhershëm të pajtimit dhe urtësisë kombëtare.

Zonja Presidente e Republikës së Kosovës,

Në këtë ditë të rëndësishme për mua, përmes këtij reflektimi dëshiroj ta përmbyll këtë reflektim me një thirrje: të mos harrojmë të kaluarën tonë, të mbrojmë vlerat që na kanë bërë të fortë dhe të vijojmë të punojmë për një të ardhme të ndritur për kombin tonë.

Me respekt dhe mirënjohje të pafund,
i juaji don Frana!


Go to TOP