Kritikat për logon e 17-vjetorit të Pavarësisë, kompania del me sqarim
Pas kritikave rreth logos së 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka reaguar kompania “Red Mill”, e cila e ka dizajnuar atë. Në një deklaratë, kjo kompani theksoi se ka qenë një nder për të krijuar emblemën zyrtare të Ditës së Pavarësisë, duke e cilësuar atë si një simbol që nuk përfaqëson vetëm dizajnin, por edhe shpirtin dhe identitetin e një kombi.
“Shtatëmbëdhjetë vite qëndrese. Shtatëmbëdhjetë vite ëndrra që bëhen realitet. Këtë vit, patëm nderin të krijojmë emblemën zyrtare për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës—një simbol që nuk përfaqëson vetëm dizajn, por shpirtin e një kombi. Në shikim të parë, dy forma të guximshme qëndrojnë krah për krah, një jehonë e ndjeshme e numrit 17. Një reflektim i kohës—17 vite pavarësi, festuar më 17 shkurt. Dy shtatëmbëdhjeta, të ndërthurura në kuptim, qëndrojnë si një homazh për rrugëtimin e kaluar dhe atë që ende na pret. Por shikoni më nga afër, dhe format zbulojnë më shumë. Ato ngrihen si krahë, gati për fluturim, duke mishëruar një vend që gjithmonë synon përpara. Ngjyra e artë pëshpërit triumf, një rrugëtim të shtruar me sukses. E bardha, ngjyra e unitetit, na kujton se së bashku, ne ngrihemi. Çdo vijë është një hap drejt së ardhmes. Çdo kënd, një simbol i progresit. Dhe ashtu si shqiponja që fluturon lart mbi ne, Kosova është gati—për lartësi të reja, horizonte të reja dhe një të ardhme pa kufij”, thuhet në deklaratë.
Ndryshe dje Qeveria e Kosovës e ka prezantuar logon zyrtare të shënimit të 17-vjetorit të pavarësisë.
Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, ekzekutivi e ka publikuar logon shtetërore të 17-vjetorit të pavarësisë si dhe programin e plotë të manifestimeve. Krahas mbledhjes festive të qeverisë, do të ketë edhe parakalim të trupave të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në kryeqytet, homazhe tek personalitetet e rëndësishme që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit si dhe koncerte. /Kosova.info/
