Krasniqi kritikon ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet: Po dëmtohet një proces që ka funksionuar mirë

Eksperti i zgjedhjeve, Albert Krasniqi, ka ngritur shqetësime mbi disa ndryshime të fundit në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, duke i cilësuar si hapa prapa për procesin zgjedhor dhe rritje të rreziqeve për manipulime e tensione.

Sipas tij, një ndër ndryshimet më problematike është numërimi i votave të kandidatëve në qendrat komunale të numërimit dhe jo më në një qendër të vetme qendrore. Krasniqi argumenton se një proces i tillë është i ndërlikuar dhe kërkon staf të kualifikuar që aktualisht mungon, duke sjellë vonesa dhe tensione në zgjedhje.

Gjithashtu, ai ka kritikuar rritjen e numrit të preferencave për kandidatët nga pesë në dhjetë, duke thënë se votuesit deri tani mezi zgjidhnin katër kandidatë dhe kjo ka krijuar vonesa në procesin e votimit.

Një tjetër ndryshim që ai e sheh si problematik është votimi fizik në përfaqësitë diplomatike, që sipas tij është i kushtueshëm dhe i hapur ndaj keqpërdorimeve, ndërsa lehtësimi i votimit me postë përmes ambasadave kishte ulur kostot për diasporën.

Krasniqi ka kritikuar edhe zëvendësimin e ngjyrës së padukshme me ngjyrë të dukshme, duke e cilësuar si një ndryshim që rrit rrezikun e presionit ndaj votuesve. Po ashtu, ai e ka kundërshtuar heqjen e heshtjes zgjedhore, duke theksuar se kjo praktikë i jepte votuesve hapësirë për reflektim para ditës së zgjedhjeve.

Sipas tij, këto ndryshime nuk përputhen me standardet ndërkombëtare dhe mund të dëmtojnë procesin zgjedhor në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP