Populli i manipuluar
Shkruan: Besim XANI
Karl Popper, filozof austriak, thotë: “Komunizmi si teori është parajsë, por posa të zbatohet në praktikë, njeriu e kupton se po jeton në ferr.” Kjo është gracka në të cilën ka rënë populli nga retorika e Albin Kurtit, madje një mendimtar tjetër pasi kishte qenë komunist, vendosi të hiqte dorë nga komunizmi kur gjatë një demonstrate humbi jetën një qytetar ku ata komunistë që e kishin udhëhequr demonstratën ishin ngazëllyer nga gjakderdhja “Në atë moment hoqa dorë nga komunizmi, kishte thënë ai.” Fatkeqësisht, të gjitha këto i gjejmë te Albin Kurti, më pas, rritja në vota e Kurtit ka një shpjegim sentimental gjithmonë siç thotë Borges “Njerëzimi ka qenë me trojanët, kurrë me grekët.” Këtë rol po luan ai duke u viktimizuar vazhdimisht sikur të gjithë janë kundër tij, sikur e urrejnë dhe e pengojnë. Kështu i thoshin Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha forcohet partia duke krijuar armiq! Përsëri po kthehemi te barazia komuniste, e cila dikur verboi edhe intelektualët, Sali Berisha vetë thotë “Kam besuar në komunizëm si shoqëri me barazi ideale, por unë punoja si mjek dhe gjatë punës vërejta se njerëzit filluan të vdisnin nga kequshqyerja” domethënë nga uria, në atë moment hoqa dorë nga besimi në komunizëm dhe fatkeqësisht shoqëria jonë ra pre e kësaj propagande, duke e parë atë si parajsë por në të vërtetë na pret ferri! Edhe Shqipëria socialiste ishte për 50 vite shtet sovran, por jeta e qytetarëve të saj ishte një ferr, i cili sot as nuk guxon të imagjinohet, Hannah Arendt filozofe thotë “Njerëzimi duhet të mësojë nga dy demokraci botërore njëra (antike) që ishte në Athinë, dhe tjetra (superfuqia planetare) Amerika” le t’i ndjekim këto dy demokraci shembullore për t’i shpëtuar ferrit populli nuk është fajtor, është i mashtruar, ta zgjojmë nga ky rrezik, sepse dikur bëhet vonë!
