Atalanta pëson në fund ndaj Brugge në Champions League
Club Brugge ka mposhtur Atalanta me rezultat 2-1 në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të Champions League, duke siguruar një avantazh të rëndësishëm përpara takimit të kthimit në Itali.
Skuadra blege ka marrë fitoren falë një penalltie të shënuar në sekondat e fundit të sfidës.
Vendasit e kanë nisur më mirë ndeshjen, duke u treguar të rrezikshëm që në minutat e para. Christos Tzolis e ka testuar dy herë portierin Rui Patrício, por Atalanta nuk e ka marrë seriozisht paralajmërimin. Në minutën e pesëmbëdhjetë, një gabim i Stefan Posch, që e ka humbur topin pas një pasimi nga Isak Hien, i ka dhënë mundësinë Chemsdine Talbi t’ia rrëmbejë dhe t’ia pasojë Ferran Jutgla, i cili nuk ka gabuar para portës.
Skuadra italiane ka arritur të rikthehet në lojë pak para përfundimit të pjesës së parë. Davide Zappacosta ka harkuar nga krahu i majtë, duke gjetur të pambuluar Mario Pasalic, i cili me një goditje të saktë me kokë ka barazuar shifrat në 1-1.
Pjesa e dytë është zhvilluar me të njëjtin ritëm, me Brugge më kërkuese dhe Atalanta që herë pas here dukej e pasigurt. Megjithatë, vendasit nuk kanë arritur të krijonin raste të rrezikshme deri në minutat e fundit të ndeshjes.
Drama ka arritur kulmin në kohën shtesë, kur Halil Umut Meler ka akorduar një penallti për Brugge pas një prekje të topit me dorë nga Hien, gjatë një dueli me Gustaf Nilsson. Suedezi e ka marrë vetë përgjegjësinë dhe e ka dërguar portierin në kahun e kundërt, duke u siguruar belgëve një fitore të rëndësishme para ndeshjes së kthimit në Bergamo.
