Ylli Hoxha “qetëson” simpatizantët e LVV-së: KQZ ka mekanizma për të garantuar integritetin e procesit
Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe analisti politik, Ylli Hoxha, ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura nga disa simpatizantë të LVV-së në lidhje me procesin e numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Hoxha siguroi opinionin se LVV ka pasur gjithmonë kapacitet për të mbrojtur votën e saj, madje edhe në periudha kur kishte një përfaqësim të kufizuar në institucionet zgjedhore. Ai theksoi se tani, me praninë e shumtë të përfaqësuesve të LVV-së në KQZ dhe strukturat e saj, procesi është më i mbikëqyrur se kurrë.
“Tash në KQZ dhe strukturat e saj ka një numër të madh njerëzish që janë vendosur aty edhe me vullnetin e VV-së. Janë një aradhe e tërë aktivistësh të angazhuar në çdo segment të numërimit,” tha ai.
Hoxha shtoi se LVV ka një seksion të posaçëm brenda organizatës që kryen verifikime të detajuara pas zgjedhjeve për të siguruar transparencën dhe saktësinë e rezultateve.
Në fund, ai apeloi për kujdes në adresimin e shqetësimeve në publik, duke theksuar se krijimi i një fryme mosbesimi ndaj procesit zgjedhor mund të ketë pasoja afatgjata për integritetin e demokracisë. “Prandaj, para se të shprehni shqetësime për rezultatet në publik, adresojini ato tek organizata juaj,” përfundoi Hoxha. /Kosova.info/
