Hadergjonaj: Eksperiencë e paharrueshme në fushatën zgjedhore me LDK-në

Ushtaraku i karrierës dhe kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj Bjeshka, ka reflektuar mbi përvojën e tij të parë në një fushatë zgjedhore duke e cilësuar atë si një eksperiencë të paharrueshme dhe plot emocione.

Nga data 11 janar deri më 8 shkurt, Hadergjonaj ishte pjesë e një ekipi të përkushtuar prej 109 kandidatëve të LDK-së, të cilët garuan nën lidershipin e kryetarit Lumir Abdixhiku. Ai shprehu admirimin për vizionin, angazhimin dhe kulturën politike të Abdixhikut duke theksuar se programi i LDK-së synon zhvillimin e Kosovës në të gjitha fushat – ekonomike, kulturore, arsimore, energjetike, të sigurisë dhe drejtësisë.

“Përkundër rritjes serioze të LDK-së krahasuar me zgjedhjet e fundit, rezultati nuk ishte ai që prisnim. Megjithatë, kjo nuk do të na ndalojë që të vazhdojmë në rritjen e vazhdueshme të LDK-së, si shpresa e parë dhe e ardhmja e Kosovës sonë të dashur,” theksoi Hadergjonaj.

Ai falënderoi të gjitha strukturat dhe mbështetësit e LDK-së për përkrahjen dhe përgëzoi qytetarët për kulturën demokratike të treguar gjatë procesit zgjedhor. Hadergjonaj u shpreh optimist për fazën e dytë të procesit dhe theksoi rëndësinë e konstituivit të institucioneve sa më parë, bazuar në votën e qytetarëve.

“Zoti e bekoftë LDK-në! Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP