Rraci pranon rezultatin zgjedhor në Klinë: LDK mbetet e përkushtuar ndaj qytetarëve
Kryetari i degës së LDK-së në Klinë dhe kandidati për deputet, Alban Ismet Rraci, ka reaguar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke pranuar rezultatin me respekt për vullnetin e qytetarëve.
Në një deklaratë publike, Rraci theksoi se, pavarësisht përkushtimit të madh, LDK në Klinë nuk arriti të fitojë besimin e shumicës së votuesve. Megjithatë, ai theksoi se ky është procesi demokratik dhe se partia do të vazhdojë të mbrojë vlerat e saj të maturisë dhe përgjegjësisë politike.
“Ne nuk kemi zgjedhur dhe nuk do të zgjedhim kurrë rrugën e urrejtjes apo të propagandës së rreme. Nuk besojmë në retorikën boshe nacionaliste, që përfundon në kompromise të dëshpëruara,” tha Rraci.
Ai falënderoi të gjithë aktivistët dhe votuesit e LDK-së për përkrahjen e tyre gjatë fushatës duke vlerësuar angazhimin e Kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, për drejtimin e qartë dhe të guximshëm.
“Pavarësisht sfidave, LDK do të vazhdojë të jetë alternativa e shpresës dhe progresit,” përfundoi Rraci, duke shprehur përkushtimin e tij për të ardhmen politike të partisë. /Kosova.info/
