Bajrami: Dështoi referendumi i VV-së, fitorja e Kurtit është e pavlerë

Gazetari i njohur Asllan Bajrami ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si një dështim për pretendimin referendar të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, përballë 54 deri në 58 mandateve të opozitës, fitorja e VV-së nuk ka asnjë vlerë reale për qeverisjen e vendit.

“Fitorja që ai pretendon është një ‘fitore e Pirros’, që nuk i hyn fare, fare në punë,” ka deklaruar Bajrami, duke theksuar se pa mundësinë për të formuar qeverinë, triumfi i VV-së është thjesht simbolik.

Ai ka kritikuar ashpër gjuhën e përdorur nga Kurti pas mesnatës, duke e cilësuar si përjashtuese dhe ofenduese. “Gjuha e tij pak minuta pas mesnatës, në fakt, e çertifikon pozicionin e tij opozitar,” ka theksuar Bajrami, duke argumentuar se ky rezultat duhet të çonte në një reflektim të thellë nga Kurti.

Duke vënë në dyshim legjitimitetin e tij pas këtij rezultati, Bajrami ka shtuar: “Nëse z. Kurti pretendonte një rezultat referendar dhe nuk e arriti, ai do të duhej të paktën të jepte dorëheqje para subjektit të tij politik.”

Sipas Bajramit, realiteti politik i dalë nga këto zgjedhje e lë Kurtin dhe VV-në në një pozitë të pafuqishme, ndërsa opozita ka shansin për të formuar një qeveri të re. /Kosova.info/


Go to TOP