AIP thirrje KQZ-së të sigurojë mbrojtjen e të dhënave personale
Derisa në Kosovë po vazhdon procesi zgjedhor, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partitë Politike të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale gjatë këtij procesi.
Agjencia për Informim dhe Privatësi i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që gjatë procesit të votimit të sigurojë vendosjen e kamerave të sigurisë dhe kabinave të votimit në përputhje të plotë me Ligjin Nr 06/L-82 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke shmangur çdo cenim të privatësisë së qytetarëve dhe fshehtësisë së votës.
Agjencia, po ashtu përsëritë kërkesën për Partitë Politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak.
Agjencia për Informim dhe Privatësi thekson se çdo shkelje e parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale do të trajtohet në përputhje me Ligjin Nr 06/L-82 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe kompetencat ligjore të Agjencisë.
