Hoti: Libërlidhja, interesante dhe tërheqëse
Valdet Hoti, libërlidhës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, tha se libërlidhja bën grumbullimin e shtypit të gazetave, revistave, periodikut dhe librave që nuk janë të lidhura ose janë të dëmtuara.
Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK, ka folur për procesin e punës, ku sipas tij, është shumë interesante, tërheqëse.
Hoti bëri me dije se bëjnë grumbullimin e të gjitha botimeve, prej periodikut, gazetave, revistave, të vjetra e të reja.
“Sot gazeta s’kemi fare gazeta, por përpara janë mbledhur, palosur, janë bërë në formë libri për një muaj numrat e secilës gazetë. Gazeta ‘Rilindja’ është qepur e gjitha. Ka forma edhe të tjera të ngjitjes, por kur ka numra gazetash ose revistash zakonisht bëhet qepja e tyre, sepse është më e fortë dhe më jetëqëndrueshëm. Lidhja bëhet në dy forma, me kopertina të buta dhe të trasha”, foli Hoti për punën që bën në BKK.
Ndër të tjera, ai foli edhe për libra të dëmtuar, që vijnë kohë pas kohe pas shfrytëzimit të tyre.
“Ka shumë faktorë që e dëmtojnë një libër. Në mesin e faktorëve biologjikë, atmosferikë, është edhe faktori njeri. Ne bëjmë pastrimin e atij materiali dhe aty ku është dëmtuar, e riparojmë. Për riparim e sanim teknikisht nuk kemi avancuar. Faktikisht, ne ende këtë punë e bëjmë me metoda të përparshme, por e bëjmë me kënaqësi”, pohoi ai.
Ai tregoi se puna e libërlidhësit nuk është pa rreziqe. Gjatë punës mund të ketë ndonjë rrezikshmëri nga pluhuri dhe kimikalet të cilat i përdor për pastrimin e librave. Po ashtu, ai tha se bëjnë sanimin edhe të dorëshkrimeve.
