Arbër Malota me mesazh prekës për nxënësit e tij të ndjerë: Ramë e Ideal, edhe në përjetësi bashkë

Humbja tragjike e dy të rinjve, Ideal Rama dhe Ramë Mehmeti, në fshatin Jabllanicë të Gjakovës ka prekur thellë profesorin e tyre, Arbër Malota, i cili ka ndarë një mesazh të dhimbshëm në kujtim të tyre.

Malota, djali i dëshmorit dhe aktivistit të çështjes kombëtare, Markut, kujton me mall e dhimbje dy nxënësit e tij, duke theksuar lidhjen e fortë që kishin mes vete dhe dhuntitë e tyre në fushat e ndryshme të dijes.

“Ideal, të takova para ca kohësh dhe më ‘ma tërhoqe vërejtjen’ se nuk e mbajta fjalën t’ju ftoja për një pije kur të dilnit në shkollën e mesme. ‘Ju del bishti bre’ – të ngacmova. Premtova se do ta gjej një kohë. Por koha, armik ndaj nesh, shpesh na tradhton… Sonte, ma këputet shpirtin. Koha më nuk vjen,” shkruan ai.

Ai kujton Ramën si një nxënës të urtë dhe të talentuar në gjuhën shqipe, ndërsa Idealin si të shkëlqyer në shkencat ekzakte. Mësuesi tregon sesi, gjatë orëve të mësimit, i ndante nga njëri-tjetri për shkak të miqësisë së ngushtë, por tani, tragjikisht, ata janë sërish bashkë – edhe në përjetësi.

“Nuk ka fuqi më arsimtari të shkruaj sonte, kjo është eseja ime më e keqe, që nuk do të doja ta shkruaja kurrë për ju,” shprehet ai, duke u përshëndetur me dhimbje me dy nxënësit e tij.

Në fund, ai shpreh ngushëllimet e tij për familjet Rama, Mehmeti dhe Morina, si dhe për shokët e klasës së tyre: Nushën, Dorelen, Leartin, Leonin dhe Arlindin.

“Pushofshi në paqe, Ideal dhe Ramë!”, ka përfunduar Malota. /Kosova.info/


Go to TOP