Kosova e Maqedonia e V. rrisin bashkëpunimin për parandalim të korrupsionit
Me ftesë të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit të Kosovës (APK), sot u zhvillua një vizitë zyrtare e delegacionit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të Maqedonisë së Veriut (KSHPK).
Gjatë takimit, përfaqësuesit e dy institucioneve diskutuan mbi përmbajtjen e Memorandumit të Bashkëpunimit, i cili do të përcaktojë fushat kryesore të koordinimit ndërinstitucional.
“Palët u pajtuan që, përveç memorandumit, të hartohet edhe një plan veprimi për shkëmbimin e përvojave dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ndërsa delegacionin e Maqedonisë së Veriut e kryesoi kryetarja e KSHPK-së, Tatjana Dimitrovska. Të dyja palët ritheksuan përkushtimin e tyre për forcimin e mekanizmave të integritetit dhe transparencës institucionale.
“Ky memorandum do të shërbejë si një bazë e fortë për shkëmbimin e përvojave dhe ndërtimin e mekanizmave më efikas për parandalimin e korrupsionit. Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për të adresuar sfidat e përbashkëta në këtë fushë,” deklaroi drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj.
Nga ana e saj, kryetarja e KSHPK-së, znj. Tatjana Dimitrovska, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi.
“Forcimi i lidhjeve ndërmjet institucioneve tona do të na mundësojë të zbatojmë praktikat më të mira dhe të ndërtojmë praktika më efektive për parandalimin e korrupsionit” , tha ajo.
Memorandumi i planifikuar do të përfshijë iniciativa konkrete brenda fushëveprimit të të dy institucioneve dhe pritet të nënshkruhet brenda muajit mars 2025.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e Kosovës dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të Maqedonisë së Veriut (KSHPK) mbeten të përkushtuar për të avancuar bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e integritetit publik. /Kosova.info/
