Albin Kurti: Nga Investitor i Zgjuar në Kumarxhi Politik

Shkruan: Shenoll MUHARrEMI

Ekonomia, por edhe politika, funksionojnë me cikle. Kanë periodicitetet e tyre specifike. Jo të gjithë i shohin dhe i konsiderojnë këto cikle kur bëjnë strategjitë dhe ‘hesapet’ e tyre.

Kur ekonomia është mirë, fillojnë investimet nga investitorët kryesor në Wall Street. Në atë kohë, fillojnë të rriten fitimet. Pastaj kyçen investitorët e mesëm… e në fund, ata amatorët apo njerëzit nga masat. “E bleva TESLA”… “Investova në Bitcoin se ish hyp shumë!”

Të parët janë investitorë, ata e kuptojnë ciklin dhe që jo gjithçka shkon lart. Këta shesin pas një kohe kur cikli rekomandon dhe fitojnë, vlera fillon të ulet nga ai moment. Nga të dytët (investitorët e mesëm), shumica fitojnë, por disa më lakmitarë humbin sepse nuk e kuptuan ciklin dhe modifikuan strategjinë me kohë. Të fundit, njerëzit dhe investitorët amatorë, humbin në shumicën absolute të rasteve. Këta nuk e kuptojnë ciklin dhe rrethanat dhe janë tepër lakmitarë.

Albin Kurti dhe LVV, deri në zgjedhjet e vitit 2021, ishin investitorë. Ata kishin pasur të gjithë durimin dhe po luftonin për kauza. Parimet po i ruanin me shumë xhelozi. Pas një investimi me kohë (herët), pritjeje të gjatë dhe ruajtjeje të parimeve… fituan në mënyrë dramatike më 2021.

Kjo eksperiencë i bëri të mendojnë se fitimi nuk ka fund. Se resurset (votat, përkrahja) janë të pashtershme. Ata harruan CIKLIN. Sa ishin në opozitë, cikli funksionoi në dobi të tyre. Por nuk e kuptuan që, kur futen në qeveri dhe morën gjithë atë pushtet, ky cikël po punon për tjetrët (opozitën).

Në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, LVV dhe Albin Kurti strategjinë e tyre e ndërtuan sikur investitorët amatorë. Sikur ata që mendojnë se tregjet dhe ekonomia vetëm rriten. Sikur që ekziston vetëm fitimi.

Nuk përgatitën program për qeverisje, nuk morën parasysh konkurrencën, sidomos nuk e kuptuan ciklin. Menduan se do të rriteshin përgjithmonë. Kështu, sikurse 438k vota nuk mjaftonin, ata po kërkonin tashmë 500k vota. Ky është një indikator i lakmisë së skajshme, që zakonisht përthehet në arrogancë dhe humbje.

LVV dhe Albin Kurti, nga investitorë të matur, u transformuan në kumarxhinj. Ata kishin fituar mirë si investitorë: 340% rritje! kishin pasur për disa vite. Por kjo nuk mjaftoi. Lakmia për më shumë ndikoi që strategjia e tyre të kërkonte edhe më shumë, ENDE… Kjo, sipas të gjitha gjasave dhe rregullit të hekurt të ciklit, do të përkthehet në strategji të gabuar dhe humbje të vlerës.


Go to TOP