Musliu: Mendohuni kujt do t’ia besoni votën në zgjedhjet e 9 shkurtit
Gazetari i njohur, Fahri Musliu, ka bërë një apel të fortë për votuesit kosovarë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Përmes një mesazhi reflektues, ai ka kërkuar nga qytetarët të shqyrtojnë me kujdes për kë do të votojnë, duke nënvizuar se zgjedhja e drejtë është kyçe për të ardhmen e vendit.
Musliu ka ngritur shqetësime për disa kategori politikanësh që kanë dominuar skenën politike të Kosovës: ata që janë të etur për pushtet dhe tallin qytetarët me premtime boshe; ata që flasin për projekte imagjinare dhe shifra të ekzagjeruara si miliona kamiona e aviona apo politikanët që kanë qenë disa mandate në Kuvend, me rroga të majme, por me kontribut të dobët apo të padukshëm në përfaqësimin e interesave të popullit.Ai gjithashtu u ka bërë thirrje votuesve të mbështesin ata kandidatë që ofrojnë premtime reale dhe të realizueshme, duke vënë interesin e shtetit mbi gjithçka tjetër.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se vota jonë është arma më e fuqishme për të ndryshuar drejtimin e vendit. Mendohuni mirë nëse ia vlen të votoni apo të bojkotoni zgjedhjet,” ka përfunduar Musliu.
Apeli i tij është një thirrje për ndërgjegjësim politik duke i shtyrë qytetarët të reflektojnë mbi përgjegjësinë e tyre si votues. /Kosova.info/
