Dëbimi i aktivistes si paranojë e regjimit për shkak të protestave
Dëbimi i aktivisteve kroate dhe shtetasve të tjerë të huaj nga Serbia ka shkaktuar reagime të ashpra nga partitë opozitare dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat këtë akt e shohin si pjesë të një sjelljeje më të gjerë represive dhe paranojake të regjimit. Ky incident është vlerësuar si një përpjekje për frikësim dhe një mesazh se organizatat joqeveritare dhe bashkëpunëtorët e tyre nuk janë të mirëpritur, veçanërisht ata nga rajoni.
Pesë përfaqësuese të organizatave joqeveritare nga Kroacia, të cilat morën pjesë në punëtoritë e organizuara nga “Erste Stiftung” në Beograd, kaluan disa orë gjatë natës mes datave 21 dhe 22 janar në polici. Në fund, ato u dëbuan nga Serbia dhe iu ndalua hyrja në vend për një vit. Në vendimin që iu lëshua si arsye për dëbimin u përmendën “arsyet e mbrojtjes së sigurisë së Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj”.
Mediat raportojnë se autoritetet serbe arrestuan dhe më pas dëbuan gjithsej 14 aktivistë të huaj që morën pjesë në një konferencë të shoqërisë civile në Beograd. Midis tyre ishin të ftuar nga Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Moldavia, Rumania, Austria dhe Çekia, të cilët morën pjesë në një ngjarje të organizuar nga fondacioni austriak Erste.
Për shkak të trajtimit të shtetaseve kroate, Kroacia i ka dorëzuar një notë proteste Serbisë, duke kërkuar shpjegime dhe duke shprehur protestë të ashpër për sjelljen ndaj shtetaseve kroate në Serbi.
Dëbimi i aktivistëve të huaj nga Serbia është pjesë e një strategjie më të gjerë të autoriteteve për të gjetur “armiq” në çdo segment të shoqërisë, paralajmëruan opozita dhe organizatat e shoqërisë civile lidhur me vendimin e autoriteteve serbe për të dëbuar aktivistet kroate me arsyetimin se “rrezikojnë sigurinë e shtetit dhe qytetarëve”.
Partia opozitare pro-evropiane, Fronti i Majtë i Gjelbër, duke dënuar këtë akt, ka kërkuar falje publike nga shteti për aktivistët e dëbuar dhe anulimin e ndalimit të hyrjes. Ata vlerësuan se ky rast përfaqëson izolimin e mëtejshëm të Serbisë dhe shndërrimin e saj në një diktaturë ksenofobike dhe paranojake. Në të njëjtën kohë, ata shprehën solidaritet me aktivistët e dëbuar dhe bënë thirrje për ruajtjen e vlerave të hapjes, mikpritjes dhe miqësisë ndaj qytetarëve nga rajoni.
“Meqenëse ky nuk është rasti i parë i tillë ku shteti i Serbisë i konsideron artistët dhe punëtorët e kulturës, si dhe aktivistët e organizatave të shoqërisë civile, si armiq që kërcënojnë sigurinë e tij, konkludojmë se ky është një tregues i qartë se kjo qeveri po kthen shteti ne një diktaturë, e modeluar sipas regjimeve më të errëta në botë,” njofton Fronti i Majtë i Gjelbër.
Organizatat joqeveritare, duke përfshirë Gratë në të Zeza dhe Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, deklaruan se kaosi aktual i shkaktuar nga protestat studentore ka rritur më tej paranojën e regjimit, i cili tani përdor shtetasit e huaj si objektiv për frikësim.
“Përsëri është krijuar një armik, tani janë organizatat joqeveritare. Në këtë mënyrë është plotësuar makineria e çmendur e paranojës së regjimit, në stilin e diktaturave, tiranive dhe sundimeve të frikës në Rusi, Korenë e Veriut dhe Iran”, konstatojnë Gratë në të Zeza dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
