Krasniqi: Ibrahim Rugova është 100% aksion i LDK-së, jo i Listës GUXO apo Albin Kurtit

Milazim Krasniqi, një ndër figurat themeluese të LDK-së, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të disa anëtarëve të Listës GUXO dhe kryeministrit Albin Kurti për ta lidhur figurën e Ibrahim Rugovës me subjektin e tyre politik.

Krasniqi ka theksuar se ishte ai që e ftoi personalisht Rugovën të bashkohej në Këshillin Nismëtar për themelimin e LDK-së dhe që e propozoi si kryetar në Kuvendin Themelues më 23 dhjetor 1989. Ai gjithashtu përmendi rolin e tij si bashkëpunëtor i ngushtë i Rugovës gjatë viteve 1989-2000 dhe si shef i Sektorit të Informimit të LDK-së gjatë viteve të vështira të luftës 1998-1999.

Duke e quajtur “pafytyrësi” përpjekjen për ta identifikuar Rugovën me parti të tjera, Krasniqi deklaroi: “Rugova identifikohet vetëm me LDK, jo me ne që kemi dalë nga LDK-ja. Po të identifikohej me ne, absolutisht më së shumti do të identifikohej me mua. Por Rugova mbetet 100% aksion i LDK-së.”

Kjo deklaratë është një tjetër rikujtesë për rolin historik të LDK-së dhe figurën e saj ikonike, Ibrahim Rugova, në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP