Mes hajnave dhe mashtruesve, kë do të votojnë kosovarët më 9 shkurt?

Shkruan: Emanuel Demaj

Kosova e sotme, një vend me potencial të jashtëzakonshëm, është e kapluar nga një paradoks i dhimbshëm, ata që për vite me radhë e kanë zhvatur dhe dëmtuar atë, sot mburren me “kontributin” e tyre dhe shesin moral politik, ndërsa populli mbetet i shtypur mes rritjes së çmimeve dhe mungesës së perspektivës. Në një shtet ku hajni nderohet si “boss” dhe krimineli shpallet hero, shpresat për një të ardhme të ndritur po vyshken çdo ditë, ashtu si lulet e lëna pa ujë që dikur mbushnin oborret e këtij vendi.

Realiteti që po përjetojnë qytetarët është i zymtë, rritje e çmimeve të gjërave elementare, energji elektrike që jo vetëm shtrenjtohet, por as nuk sigurohet në kohën kur nevojitet më shumë, dhe një qeverisje që pretendon të jetë shpresa e ndryshimit, por që shpesh duket më shumë si një skenë nga një film i bujshëm, sesa një administrim i përgjegjshëm, nuk ndryshon jeta e qytetarit me dihmat e vogla prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët, të cilat janë më shumë një përpjekje për t’i bërë qytetarët të harrojnë barrën e çmimeve të rritura dhe të energjisë së papërballueshme.

Dhe, si të mos mjaftonte kjo, alternativa që ofrohet janë partitë që me krenari flasin për “shtetndërtimin” e Kosovës, por që gjatë viteve të qeverisjes së tyre krijuan një sistem ku interesat personale dhe ato të klaneve politike ishin prioritet, ndërsa interesat e qytetarit lihen në harresë. A janë këta të njëjtët që u bënë multimilionerë nga tenderët e dyshimtë, privatizimi i aseteve publike dhe një korrupsion i përhapur në çdo nivel të institucioneve? Pyesim veten se si është e mundur që me një pagë zyrtare të bëhesh milioner?

Populli i Kosovës sot është i kapur mes dy opsioneve të hidhura, mes mashtruesve dhe hajnave, një zgjedhje që nuk premton ndryshim, por vetëm riciklim të së njëjtës skenë të zymtë politike.

Fushatat elektorale nuk flasin më për vizion, ide, apo plane konkrete për të ardhmen, por flasin për numrin e mbështetësve që secila parti arrin të grumbullojë në sallat e qyteteve, se kush po ka më shumë simpatizantë në tubime. Programet janë të paqarta, vizioni për të ardhmen mungon, dhe qytetarët janë të lodhur nga një skenë politike që ofron më shumë dështime se sa shpresa.

Është koha për reflektim. Ku po shkon Kosova dhe kush do të jetë “fituesi” i kësaj gare të turpshme? Populli meriton një alternativë të tretë, një vizion të qartë, një udhëheqje të ndershme dhe një fokus të palëkundur në mirëqenien e qytetarëve.

Pa një ndryshim rrënjësor, Kosova rrezikon të mbetet peng i një cikli të pafundëm korrupsioni dhe dështimesh dhe nëse nuk zgjohemi si shoqëri, do të mbetemi gjithmonë të zgjedhim mes hajnave dhe mashtruesve./kosova.info

Go to TOP