Muharremi: Albin Kurti në Mitrovicë, fitues në numra, humbës në vlera dhe vizion

Shenoll Muharremi, analist politik, ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke e cilësuar atë si të papërgatitur për të përballuar rënien nga rezultati historik i vitit 2021. Sipas Muharremit, Kurti dhe LVV po përballen me një krizë identitare dhe strategjike që rrezikon të dëmtojë potencialin e tyre afatgjatë.

Sipas Muharremit, LVV, megjithëse me shumë gjasë do të fitojë vendin e parë në zgjedhjet e ardhshme, nuk ka arritur të menaxhojë rënien e pashmangshme pas një suksesi të jashtëzakonshëm në vitin 2021. Ai vlerëson se fokusimi te “armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm”, si dhe mungesa e një programi konkret për të ardhmen, po minojnë mbështetjen për partinë dhe liderin e saj.

“Kur ke qeverisur për katër vite, njerëzit presin rezultate konkrete dhe një vizion për të ardhmen, jo retorikë të përsëritur dhe ndarje mes qytetarëve. Në Mitrovicë, LVV nuk ofroi asgjë konkrete, përveç thellimit të ndasive. Çfarë ofron Kurti për vitet e ardhshme? Si do të arrijë të zhvillojë ekonominë dhe të bashkojë komunitetet në veri?”, thekson Muharremi.

Analisti sugjeron se LVV duhet të ri-inventojë veten dhe të përqendrohet në ndërtimin e paqes, zhvillimin ekonomik, dhe forcimin e bashkëjetesës shumë-etnike në veri të Kosovës. Pa këtë ai paralajmëron se partia rrezikon të degradojë në një lëvizje nacionaliste të shekullit të 19-të, e papërshtatshme për sfidat moderne.

“Nëse LVV nuk përvetëson një qasje të re dhe progresive, ajo rrezikon të tkurret edhe më shumë në të ardhmen, duke humbur potencialin për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin e Kosovës,” përfundon Muharremi. /Kosova.info/

Go to TOP