Rama: Familja Gashi simbol i sakrificës dhe dashurisë për lirinë e Kosovës
Në prag të festave të fundvitit, u nderua me një vizitë familja e Stana Gashit, një simbol i gjallë i guximit dhe dashurisë për atdheun gjatë luftës për lirinë e Kosovës. E udhëhequr nga Përparim Rama dhe Kristale Rama, vizita përfshiu edhe ish-ushtarin e UÇK-së Ismet Sylejmani dhe Dom Shtjefnin, të cilët përkulën me respekt para kontributit të jashtëzakonshëm të kësaj familjeje heroike.
“Gjatë luftës, Nana Stana, bashkëshorti i saj Ndue Gashi dhe tri vajzat e tyre, hapën dyert e shtëpisë për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shtëpia e tyre nuk ishte vetëm një vend strehimi dhe ushqimi, por edhe një burim kurajoje për ata që luftonin për lirinë e kombit. Ndërkohë, tre djemtë e tyre, të gjithë ushtarë të UÇK-së, u përfshinë aktivisht në betejat për çlirimin e Kosovës duke udhëhequr shokët e tyre me guxim të jashtëzakonshëm drejt sigurisë”, ka shkruar Rama.
Ai tha se, përkushtimi i familjes Gashi ndaj luftës për liri na kujton se liria dhe dinjiteti kombëtar nuk janë dhurata, por arrihen përmes sakrificës dhe dashurisë së pastër për atdheun. Në momentet më të vështira të historisë sonë, kjo familje u bë shembull i qëndresës dhe i vetëmohimit.
“Historia e Stana Gashit dhe familjes së saj shërben si frymëzim për brezat e ardhshëm, duke na mësuar ta duam, ta respektojmë dhe ta mbrojmë atdheun tonë. Përulemi me nderim para guximit dhe sakrificës së kësaj familjeje, që u bë simbol i lirisë së Kosovës”, ka shkruar i pari i kryeqytetit Përparim Rama. /Kosova.info/
