Abdixhiku prezanton qendrën kombëtare të sportit: kompleksi më i madh sportiv në rajon me një kosto prej 60 milionë eurosh

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar një projekt ambicioz për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Sportit në Prishtinë, e cila do të përfshijë një Stadium Kombëtar me kapacitet prej 25-30 mijë ulësesh, një Pallat të Ri Sportiv me 8 mijë ulëse, një Pishinë Olimpike me 3 mijë ulëse dhe një Gaming Hall për sportet elektronike me 2 mijë ulëse.

Ky kompleks, që do të jetë më i madhi në rajon, gjithashtu do të integrojë Fakultetin e Sporteve, duke u shndërruar në një qendër moderne për zhvillimin e sportit.

Sipas Abdixhikut, kostoja e projektit është rreth 60 milionë euro, një shumë që sipas tij është e arritshme me një qeverisje që vendos prioritetet e duhura.

“Ky investim është një nevojë dhe një mundësi për Kosovën, për të krijuar zhvillim afatgjatë dhe për të lënë shenjë,” theksoi Abdixhiku duke njoftuar se projekti tashmë i është prezantuar investitorëve potencialë.

Ndërtimi i Qendrës Kombëtare të Sportit pritet të transformojë kryeqytetin dhe të forcojë infrastrukturën sportive të Kosovës.

“Ndryshimi po vjen,” përfundoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP