Kosova mbyll vitin 2024 me 6 miliardë euro importe, Shahini: qeveria pa strategji për prodhuesit vendorë
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, gjatë promovimit të produkteve vendore në Plus Market, në kuadër të aktivitetit tradicional “Javët e Biznesit Kosovar 2024” që po shënon vitin e 22-të, ka ngritur shqetësime mbi varësinë e Kosovës nga importet e produkteve të huaja. Motoja e këtij edicioni, “Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?”, nënvizon nevojën për të fuqizuar konsumimin e produkteve vendore.
Shahini deklaroi se vitit 2024 po i vjen fundi me një bilanc të rëndë të importeve, duke arritur në 6 miliardë euro produkte të importuara nga vende të ndryshme të botës. Ai kritikoi mungesën e një strategjie qeveritare për të mbështetur prodhuesit vendorë, duke theksuar se varësia nga produktet e huaja dëmton ekonominë e vendit dhe krijon disbalanca në treg.
“Qeveria duhet të ndërhyjë me politika konkrete për të përmirësuar konkurrencën e prodhuesve vendorë dhe për të reduktuar varësinë nga importet,” theksoi Shahini.
Përmes këtij aktiviteti, AKB synon të nxisë qytetarët të mbështesin prodhimet e vendit dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e konsumit të produkteve vendore si shtyllë e zhvillimit ekonomik të Kosovës. /Kosova.info/
