Lushi: Kryesia e PDK-së duhet të mbajë përgjegjësi për heshtjen ndaj abuzimeve kundër Thaçit dhe Veselit
Uk Lushi, veprimtar i çështjes kombëtare, ka bërë thirrje të fuqishme për anëtarësinë e PDK-së që të kërkojë përgjegjësi nga Kryesia dhe organet aktuale të partisë për mungesën e veprimeve ndaj abuzimeve të Gjykatës Speciale kundër ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit.
Në një deklaratë të ashpër, Lushi kritikoi Kryesinë e PDK-së për sjelljen e tyre nonshalante, duke theksuar se ata kanë dështuar të mbrojnë figurat historike të partisë, ndërsa pushteti dhe partitë kundërshtare kanë përfituar nga kjo për t’i goditur ata.
“PDK nuk ka bërë as afër sa është dashur dhe sa ka mundur për themeluesit kryesorë të shtetit të Kosovës. Kryesia aktuale duhet të ndryshohet sa më shpejt,” deklaroi ai duke shtuar se anëtarësia, veteranët e UÇK-së dhe shqiptarët e angazhuar për çlirimin e Kosovës duhet të reagojnë.
Lushi theksoi se PDK ka nevojë për energji të reja dhe individë të përkushtuar, ndërsa kritikoi disa individë në parti që, sipas tij, e trajtojnë atë si një “fole komforti klanor dhe personal.”
“Mjaft me gjepura nëpër kafene! Populli mund dhe do të reagojë për padrejtësitë e Hagës dhe heshtjen e turpshme,” përfundoi ai, duke shprehur besimin se PDK e vërtetë do të rilindë përmes popullit.
Këto thirrje vijnë në një kohë kur PDK është përballur me sfida të brendshme dhe kritika për mosreagimin ndaj trajtimit të liderëve të saj historikë, nga Gjykata Speciale. A do të sjellin këto thirrje ndryshime të rëndësishme në udhëheqjen e partisë? Koha do ta tregojë. /Kosova.info/
