Gashi: Me politikën paqësore të Rugovës, Kosova sot gëzon pavarësinë

Data 2 dhjetor është ditëlindja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Bekim Gashi, koordinator i Muzeut, historian, theksoi se Rugova është njeriu i cili jo vetëm te shqiptarët, por edhe tek evropianët dhe më gjerë konsiderohet si Gandi i Ballkanit e që, sipas tij, në kohë lufte praktikonte paqen ngaqë largpamësia e tij dhe diplomacia e tij ishte që të ketë sa më shumë miq dhe përmes miqve të arrijmë synimet tona  e që me politikën e tij paqësore dhe jo vetëm, Kosova sot e gëzon lirinë dhe pavarësinë e saj.

Ai në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se në aspektin historik historia e kombit shqiptar njeh tre personalitete që janë shtetndërtues.

“Në vitin 1444 Skënderbeu ofron rreth vetes të gjithë princat shqiptarë dhe në njëfarë mënyre krijon shtetin shqiptar. Në vitin 1912 kemi Ismaj Qemajlin, i cili e shpall shtetin shqiptar, dhe Ibrahim Rugova, i cili nga viti 1989 deri në vdekjen e tij, gjithmonë ka ofruar rreth vetes njerëzit dhe të gjitha partitë politike për të mirën e këtij vendi dhe e cila kurorëzohet me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ne tash njihemi nga mbi 100 shtete falë kontributit të presidentit historik dhe padyshim luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Nga Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, Gashi tha se sot është ditëlindja e një burrështeti, ditëlindja e presidentit të parë historik Ibrahim Rugova, duke treguar se ai rridhte nga një familje nacionaliste.

Tutje dha informacione për objektin. Ai tregoi se “kjo ka qenë zyra personale e Ibrahim Rugovës, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, si kryetar i LDK-së dhe si president kur zgjidhet për herë të parë nga vota e qytetarëve në zgjedhjet presidenciale në vitin 1992, më 24 maj.

“Pastaj ky objekt për dhjetë vjet rresht ka luajtur rolin e tri institucioneve të shtetit në atë kohë. Ky objekt ka qenë qeveri, presidencë dhe kuvend, pra ky objekt i vogël, por i një rëndësi të veçantë, për dhjetë vjet ka qenë shpresa e qytetarëve të Kosovës”, shtoi Gashi.


Go to TOP