Mustafa: Babën e vranë sepse guxoi të ëndërronte për lirinë
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa e ka kujtuar babanë e tij në 24 vjetorin e vrasjes. Mustafa ka shkruar se babai i tij u vra, sepse guxoi të ëndërronte për lirinë, publikisht.
Mustafa ka shkruar se ëndrra e babait të tij frymon në brezin e tretë, në djalin e tij, Gemin katër muajsh që tha se këtë emër ia vendosi sepse i përngjanë emrit të babait të tij, derisa ka ndarë një komunikim me nënën e tij në ditën kur i lindi djali.
“Hë Bes, a ka diçka?”, m’pyeti nana, kur po hyja në banesë mendjen mjegull, emocionet e shkapërderdhura nga gëzimi në mallëngjim, në huti, shpresë, ankth…“Djalë, nanë. Gem ia lash emrin, i përngjanë emrit të babës, Xhem-Xhemail”. “Uh nanës, prej sot n’deksha, shkoj pa zhig”. “Sot 24 vjet, e vranë babën se guxoi me ëndrru’ për lirinë tonë plot zà, publikisht, përtej përshpërimave. Ëndrra e babës Xhemë frymon në brezin e tretë, në Gemin katër muajsh”, ka shkruar Mustafa që është deputet i LDK-së.
Mustafa, këtij mbishkrimi i vendosi fotografinë e tij bashkë me djalin ku prapa shihet portreti përkujtimor i babasë së tij të vrarë, Xhemail Mustafa, pllakë e cila u zbulua sot në selinë qendrore të LDK-së.
