Forumi Intelektual E30 kundër pretendimeve të Muratit: rritja e të hyrave tatimore vjen nga inflacioni, jo lufta kundër kontrabandës

Forumi Intelektual Europa 2030 (E30) ka kundërshtuar ashpër deklaratën e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili ka pretenduar se rritja e të hyrave tatimore gjatë katër viteve të fundit është rezultat i luftës kundër kontrabandës.

Sipas Forumit E30, ky pretendim është i pabazuar, pasi rritja e të hyrave tatimore është nxitur kryesisht nga inflacioni dhe rritja e çmimeve për mallrat e importuara, e jo nga ndonjë strategji konkrete fiskale apo veprime të suksesshme kundër kontrabandës.

“Forumi thekson se mungon një analizë e detajuar dhe rezultate të verifikueshme që të provojnë ndikimin e masave të ndërmarra kundër kontrabandës. Në realitet, rritja e çmimeve ka rritur automatikisht bazën e të hyrave tatimore, pa ndonjë përmirësim të qëndrueshëm në strukturën fiskale të vendit,” thuhet në deklaratën e E30.

Sipas Forumit, lufta kundër kontrabandës dhe politika fiskale efektive kërkojnë angazhim më të madh, transparencë dhe rezultate të matshme që të adresojnë vërtet sfidat ekonomike të vendit, përtej ndikimeve të jashtme ekonomiko-financiare. /Kosova.info/

Go to TOP