Prokurori tërhiqet nga ndjekja penale ndaj të akuzuarve për huliganizëm gjatë protestës së 2015-ës
Në seancën e së enjtes, prokurori Kastriot Berisha ka bërë të ditur se është tërhequr nga ndjekja penale ndaj të pandehurve, Dionis Sadiku, Trim Ramabaja, Arbnor Jahiu, Besart Bacaj, Qëndrim Krasniqi dhe Ardian Huli, të cilët akuzoheshin për pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganzmi.
Sipas prokurorit Berisha, nuk ka bazë për të vazhduar me ndjekjen penal ndaj të akuzuarve të lartcekur.
“Tërhiqem nga ndjekja penale për faktin se nga deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar dhe provat e propozuara në këtë aktakuzë nuk vërtetohen elementet e veprës penale, përkatësisht nuk vërtetohet se një person ka pësuar lëndime të rënda trupor, për shkak se nuk kemi ekspertizë mjeko-ligjore, nuk vërtetohet se është shkaktuar dëm mbi 20 mijë euro”, deklaroi prokurori Berisha.
Tutje, ai tha se edhe nga provat e lëndës nuk vërtetohet se është bërë identifikimi i të pandehurve.
“Fakti se të pandehurit janë arrestuar në vende të ndryshme dhe jo në të nijetin vend. Nuk e vërteton faktin se kanë qenë mbi 8 persona dhe të njëjtit kanë qenë pjesë e asaj turme. Fotografit e propozuara dhe video-incizimet nuk vërtetojnë nëse ndonjëri nga të pandehurit kanë qenë pjesë e turmës si dhe nuk ka asnjë procesverbal të identifikimit të tyre”, tha prokurori Berisha.
Lidhur më këtë propozim të prokurorit, gjyqtaria Edita Çanta nxori aktvendim, duke aprovuar propozimin e prokurorit.
Fillimisht, gjatë kësaj seance janë dëgjuar dëshmitarët Fatmir Mjekiqi dhe Arianit Haliti, të cilët në kohën kur kishte ndodhur ngjarja në vitin 2015 kishin qenë zyrtar policor.
Në dëshminë e tij, Mjekiqi tha se në momentin kur ka dal nga vetura e policisë dikush e ka goditur me kubz të betonit.
Në pyetjen e prokurorit se a e ka goditur ndonjëri nga të pandehurit në sallë, ai tha se nuk e di se kush e ka goditur.
“Unë nuk e njoh asnjërin prej tyre dhe nuk e di se kush më ka goditur”, shtoi Mjekiqi.
Po ashtu, të njëjtën deklaratë e dha edhe dëshmitari tjetër, Arianit Haliti, i cili theksoi se asnjëri nga të pandehurit nuk kanë qenë aty atë natë.
“I kam pa edhe në seancën e kalur, dy herë i kam pa, por asnjëri nuk e di qe kanë qenë aty”, shtoi dëshmitari Haliti.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 qershor 2018 nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, të pandehurit Dionis Sadiku, Trim Ramabaja, Arbnor Jahiu, Besart Bacaj, Qëndrim Krasniqi dhe Ardian Huli akuzohen se më 23 tetor 2015, rreth orës 23:50, në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë, gjatë një proteste të paparalajmëruar, të organizuar nga opozita e Kuvendit të Kosovës, kanë marrë pjesë në grup të organizuar me pjesëmarrje në veprime huligane duke hedhur koktej molotovi në drejtim të personave zyrtar dhe ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Me këtë, të pandehurit, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganzmi”, vepër kjo e sanksionuar në nenin 412 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme prej dy deri në dhjetë vjet.
