Buja: E kam marrë vesh vonë që Thaçi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, për të dytën ditë me radhë po vazhdon dëshminë e tij, Shukri Buja në procesin gjyqësor ndaj ish- krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- Buja ka thënë se për Hashim Thaçin e kishte marrë vesh më vonë që është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

“Për Hashim Thaçin e kam marrë vesh më vonë që është anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm. Më kujtohet që e kam kontaktuar (Thaçin në maj 1998), por se si e çfarë kemi biseduar është kohë shumë e gjatë”, ka thëne ai.

Për çështjen ndaj Fatmir Limajt, sipas prokurorit, dëshmitari kishte thënë që Shtabi i Përgjithshëm e kishte ngarkuar me detyrën që të siguronte vijën e armatimeve, e që kjo kërkesë ishte përcjellë nga Thaçi.

“Realisht e thamë më lartë se e kam marrë unë për detyrë, ndërsa në telefon që kam mudur të bisedoj e që nuk po më kujtohet. Ka mundur me e konfirmu zoti Thaçi në rregull është, por që nuk ka qenë urdhër. Nuk mund ta konfirmoj se është e saktë se rrethanat në të cilën e kam dhënë këtë dëshmi dhe realisht gjithmonë jemi thirr në Shtabin e Përgjithshëm, por unë nuk e kam ditë në maj nëse është Hashim Thaçi anëtar i Shtabit të Përgjithshëm apo jo”, ka theksuar Buja.

Prokurori Pace ka insistuar se pse dëshmitari në çështjen Limaj kishte thënë se këtë detyrë ua kishte ngarkuar Shtabi i Përgjithshëm dhe se ia kishte përcjellë Thaçi.

“Ne kemi supozuar se kush mund të jetë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm edhe nuk e kemi ditë por e kemi supozu se mund të jetë Hashim Thaçi apo dikush tjetër. Kur e kam thënë këtë, e kam thënë në aspektin e supozimit se ka mujt të jetë ai anëtar i Shtabit të Përgjithshëm”, ka theksuar Buja.

Dëshmitari theksoi se nuk po i kujtohet saktë se kush ia ka përcjellë këtë detyrë, Thaçi apo vëllai i tij, Agush Buja. Tha se nuk i kujtohet kontakti me Thaçin lidhur me këtë çështje, por që në raste të ndryshme ai tha se ka kontaktuar përveç tij edhe me vëllanë e po ashtu edhe me Azem Sylën.

“Për momentin nuk është duke m’u kujtu por unë kam kontaktu edhe me vëllain, edhe me Hashim Thaçin kur ka qenë në Zvicër, edhe me Azem Sylën për të cilin në atë kohë kam supozuar që është komandant i përgjithshëm”, ka deklaruar ish-komandanti i UÇK-së.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa dëshmitari është së bashku me avokatin kujdestar, që është Taulant Hodaj.


Go to TOP