Me kërkesë të mbrojtjes, ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e dhëndrit
Me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit Tush Frokaj, i cili akuzohet për vrasjen e dhëndrit dhe mikut të tij, është ndërprerë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, për t’i dhënë mundësinë mbrojtjes të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm për mbrojtje efikase.
Tush Frokaj akuzohet për vrasjen e dhëndrit të tij A.P., duke e qëlluar atë me shtatë plumba në Klinë.
Kërkesa për ndërprerje u bë nga avokatët e rinj të Frokajt, Ndrecë Dodaj dhe Agron Galani, të cilët zëvendësuan avokatët e mëparshëm, Gëzim Baloku dhe Gani Kelmendi. Avokati Dodaj sqaroi se autorizimet i kishin dorëzuar më parë, por për shkak të paqartësive se kush do të ishte mbrojtës në këtë çështje, ata nuk kishin marrë shkresat e lëndës dhe nuk ishin përgatitur për seancën e ditës.
Prokurori Ersan Qavolli kundërshtoi shtyrjen, duke argumentuar se seanca ishte planifikuar një muaj e gjysmë më parë dhe se dëshmitarët kishin udhëtuar nga Zvicra dhe Gjermania. Përfaqësuesit e të dëmtuarve dhe mbrojtësit e viktimave gjithashtu e kundërshtuan kërkesën për shtyrje.
Pas shqyrtimit, gjyqtari Shaqë Curri vendosi që, për të respektuar të drejtën për mbrojtje efektive, seanca të ndërpritej. Megjithatë, ai theksoi se mbrojtja kishte pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.
Sipas aktakuzës, Frokaj akuzohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje të armëve pa leje, duke përfshirë një incident të ndodhur më 7 gusht 2023, ku ai qëlloi dhëndrin e tij A.P. me shtatë plumba, duke e lënë të vdekur në vend. Frokaj po ashtu përballet me akuza për armëmbajtje pa leje dhe për marrje të pasurisë së luajtshme, pasi i kishte marrë një automjet viktimës dhe ishte arratisur pas kryerjes së krimit.
Prokurori ka kërkuar që, në rastin e shpalljes fajtor, rrethanat rënduese të përfshijnë mënyrën e kryerjes së krimit dhe të kaluarën kriminale të të akuzuarit, duke theksuar lidhjen familjare të tij me viktimën dhe faktin se viktima e kishte ndihmuar disa herë të akuzuarin.
